Përshkrim
Në zemrën e zezë të kozmosit, gjashtë astronautë, dy gra dhe katër burra, udhëtojnë në orbitë rreth Tokës, në bordin e një stacioni hapësinor. Vijnë nga Amerika, Rusia, Italia, Britania e Madhe e Japonia dhe janë nisur për të studiuar planetin e heshtur blu, ku jeta, nga e cila janë përjashtuar, rrjedh vrullshëm: një martesë në krizë, një varrim, një vëlla i sëmurë, një tajfun që kërcënon me shkatërrim. I shohim në çaste të shkurtra intimiteti, teksa
përgatisin ushqime të dehidratuara, bëjnë ushtrime që të mos u atrofizohen muskujt, pluskojnë në një gjumë pa gravitet dhe, për t’i shpëtuar vetmisë, fillojnë të afrohen mes tyre. Secili i zhytur në mendimet e veta dhe në të kaluarën atje poshtë, në Tokë, por sa më shumë kalon koha, aq më tepër fillojnë të ndihen pjesë e një trupi të vetëm: Pietro është mendja, Antoni zemra, Romani duart, Çieja ndërgjegjja, Shoni – shpirti dhe Neli – fryma. I thellë dhe prekës, Në orbitë është një këngë dashurie kushtuar bukurisë së universit dhe të planetit tonë, i cili, i parë nga larg, shfaqet i çmuar dhe i brishtë, një xhevahir që rri pezull në pafundësi, një parajsë që duhet mbrojtur. Me një zë magjepsës, Samantha Harvey na kujton se, përballë pafundësisë së kohës dhe hapësirës, ne jemi vetëm gjethe të vogla në erë dhe se jeta jonë merr formë prej ëndrrave e vizioneve që kemi për të ardhmen.
Ky libër është për ata që dikur i kthenin shishet në anije kozmike magjike, për ata që shohin penelatat e William Turnerit në peizazhet e përmbytura nga drita, për ata që pluskojnë e vërtiten në thellësitë e një ëndrre dhe për ata që kanë kuptuar se ne ekzistojmë në një lulëzim të përkohshëm jete e dijeje një shpërthim veror, i shkurtër sa një rrahje qepallash.







Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.