Përshkrim
Një djalë i ri, i zhytur në plogështinë e rrethanave të pashmangshme, nis t’i shkruajë një letër ish të dashurës. Qëllimi i tij fillestar është t’i tregojë asaj sa shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ndarja e tyre. Teksa shkruan, ai fillon të kuptojë se atë letër nuk do ta dërgojë kurrë, madje fillon të fantazojë se ndoshta duhet ta botojë atë.
Nga ana tjetër, dërguesi dhe marrësja e letrës marrin jetë dhe shkëputen pak nga pak nga autori.
Marrësja kthehet në një rrëfimtare të dytë, duke i dhënë frymë një tjetër historie, një varianti të dytë, një interpretimi të ri të historisë së tyre. Ky akt fillimisht “hakmarrës” shndërrohet në një dialog që skicon vështirësitë e historive moderne të dashurisë.
Romani duket se eksploron botëkuptimin tonë mbi dashurinë, me anë të një historie dashurie në dukje të thjeshtë, duke e shpalosur atë ngadalë e duke nxjerrë në pah kontradiktat themelore të idealit dashuror.
Ky roman largohet nga normat e zakonshme të stilit apo strukturës formale dhe paraqet një thellësi mendimi, që e shtyn lexuesin të identifikohet me rrëfimtarin si të ishte një bashkautor.
Kritika
Dashuria nuk mungon si temë në veprat letrare, por janë të paktë ata që kanë arritur të shkruajnë për të në një mënyrë kaq të zgjuar sa i riu flamand, Christophe Van Gerreëey… Duket i aftë të sjellë në jetë edhe gurët.
Volkskrant
Ky mjeshtër i stilit shkëmben, pa u sforcuar, deklarata lirike dashurie e urrejtjeje me kritika shoqërore e letrare thumbuese.
NRC Handelsblad
Një vepër debutuese tërheqëse dhe bindëse.
De Standaard
Fragmente nga libri
1) Është e vështirë të imagjinohet se sa e mërzitshme mund të jetë jeta martesore dhe sa të kota janë përpjekjet për ta mbajtur në këmbë një martesë të pashpresë. Vështirë të imagjinohet se sa patetikë bëhen njerëzit kur bie fjala për dashurinë, se si ankohen dhe u shmangen disa të vërtetave, se si ngecen në vendnumëro në jetën e tyre dhe, të mbytur nga keqardhja për veten, kapen pas emocioneve të përjetuara në të shkuarën.
2) Më duhet të të mbaj në këtë fjali të parë si një shami të mbledhur shuk dhe pastaj, ashtu siç bën klouni, të të nxjerr prej andej si një buqetë. Kështu duhet të fillojë një letër: me cilësitë më të veçanta, të shprehura me një mbiemër të vetëm (mundësisht i paraprirë nga një ndajfolje), ndjekur nga emri i të adresuarit, që jo domosdoshmërisht e dinë të gjithë, por që shpesh është një variant, i cili tregon marrëdhënien që ekziston midis dërguesit dhe marrësit. Në këtë rast, një hyrje e tillë është e pamundur, për shumë arsye. Gjithsesi, kjo nuk është një letër, kështu që s’jam i detyruar të të drejtohem dhe të të rrëfej ty – të rrëfej për ne dhe për atë që ndodhi mes nesh. Ky është një lloj teksti, në të cilin vlejnë të tjera rregulla.
3) Unë kam bërë vetëm zgjedhje të gabuara, dhe është shumë vonë për të bërë diçka ndryshe, kaq vjeçe sa jam, më duket e paimagjinueshme që kam vetëm dy zgjedhje; ose të bëj punë vullnetare, gjë që më pëlqen deri diku, por patjetër jo përgjithmonë dhe përveç kësaj marr edhe asistencë sociale, ose të bëj një punë ku s’është nevoja të vë trurin në lëvizje dhe të bie në depresion. E di që s’duhet të të zbrazem ty, më fal, madje as nuk e di nëse duhet të t’i them këto gjëra, kjo nuk i bën mirë lidhjes sonë, madje as përshtypjes që mund të kesh krijuar ndërkohë për mua, por ti më njeh, është vonë, e di, e shoh nga mënyra se si më vështron, me siguri që mendon: çfarë do të bëhet me ty, çfarë të dashure kam – mos më shih ashtu!
Data sheet
Lloji i botimit | Paperback |
pages | 140 |
ISBN | 9789928233622 |
Shtëpia botuese | Op de hoogte |
Published year | 2019 |
Vendodhja e botimit | Tirane |
Gjuha | Shqip |
Tipi i publikimit | Libër |
Numri i botimeve | I parë |
Përmasat | 14×21 |
Përkthyesi | Irena Rama |
Roman | Psikologjik |
Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.